top of page
Search
  • Writer's pictureDeli Muçollari

10 arsyet pse duhet të bësh një udhëtim me Costa Smeralda

Ka vetëm një gjë të keqe me anijet e mëdha, ndonjëherë humbet nëpër labirintet e kabinave e korridoreve dhe të merr malli për apartamentin tënd të vogël ku e ke frigoriferin pas derës. Por kroçierat nuk janë bërë për të ruajtur zonën e komfortit tonë, asnjë lloj aventure nuk e merr përsipër këtë përgjegjësi. Ato të sfidojnë e të lodhin, të nxisin e të frymëzojnë, të bëjnë të ndihesh i vogël, e krejt papritur në fund të lënë në duar një trofe fitore!

E tillë është Smeralda, anija e 6000 pasagjerëve, e 19 kateve, e 15 restoranteve dhe e miliona shijeve. Po ju parashtroj më poshtë, ashtu sikurse i shoh unë, 10 arsyet pse duhet të lundroni me këtë anije:




1.Inovacioni teknologjik


E ndërtuar në vitin 2019, Costa Smeralda integroi çdo të re të teknologjisë moderne në botë, duke lehtësuar komunikimin në bord. Një shembull janë stendat interaktive, monitorët e vendosur në çdo korridor të anijes, të cilët mund t'i shfletosh dhe të zbulosh anijen, ku ndodhet pishina, palestra, baret, restorantet, zona e pirjes së duhanit, dyqani i fotove etj. E tillë është edhe pagesa e shpenzimeve në bord, me anë të makinerive, për të shmangur rradhën pranë recepsionit.




2.Shija e vërtetë italiane


Jemi jo të paktë ne që adhurojmë italianitetin në çdo aspekt, jo vetëm në muzikën që dëgjojmë, letërsinë, por edhe në kulinari. E kujt nuk ia do xhani një picë krokante me mocarela artizanale të bërë nga një napoletan kryeneç apo pastat në mënyrën e vjetër, me pomodorini gjithë shije dhe ragu pikante. A ka më mirë se ta mbyllësh mbrëmjen në një piano bar ku këndohen këngët e Çelentanos. Të shërohet shpirti..





3. Itinerari i 3 shteteve


Në një javë mund të prekësh me duart e tua portet më të bukura të Mesdheut, aty ku ziejnë turmat e turistëve, në Barcelonë, në Marsejë, në Palma de Mallorca dhe aty ku është aq qetësi sa dëgjon edhe të rrahurat e zemrës tënde, buzë detit në Cinque Terre, për të shijuar panoramën e ngjyrave në siluetën e qytetit, diku me fushave të lavandës së Provoncës, në aromën ndjellëse të lejlasë së luleve, ku të çlodh perëndimi i diellit në horizont. Me një nisje nga porti i Savonës, ky itinerar i ka të gjitha ngjyrat.




4.Code Costa Design Museum


Për të apasionuarit e dizajnit industrial, ky muze unik, me një koleksion anijesh në miniaturë, vespa dhe biçikleta të viteve të ndryshme jo vetëm në miniaturë, markat autentike italiane të transportit që kanë bërë histori, koleksion objektesh të përdorimit të përditshëm, ftojnë të mësoni historikun e tyre dhe autorësinë, të cilën shpesh e neglizhojmë.





5. Festa është kryefjala


Një gjë mund ta them me siguri, mu lodhën këmbët në këtë anije. Zemra ime ndiqte jehonën e muzikës që shpërndahej në korridore, më merrte për dore e më çonte në vatrën e zjarrit festiv, rreth e rrotull pishinës së katit të 16-të, me një spektakël dritash që të çon peshë dhe në shoqërinë e një koktejli të athët për të nisur një natë të gjatë gëzimi.




  • Rezervo kroçierën tënde këtu!




6. Quantum XXL - THE BENCH


Kështu është quajtur historia e treguar nga grupi hungarez i Street Dance Quantum XXL. Në një park mund të gjesh para, mund të gjesh miq, mund të gjesh dashurinë, por edhe mund t'i humbasësh këto të gjitha. E gjithë kjo e përkthyer në koreografinë e street dance, shumë argëtues për pushuesit, me dozat e humorit dhe ritmin e balerinëve profesionistë që me fabulën e tyre preferojnë të ndjekin të pazakontën e të na surprizojnë deri në fund.




7.Tribut për Michael Bublé


Skena qendrore, Coloseu, është zemra e aktiviteteve artistike çdo mbrëmje, ndërsa Costa Smeralda lundron drejt destinacionit të rradhës. Pjesë e axhendës është koncerti tribut për Mchael Bublé, për adhuruesit e muzikës së tij, asaj amerikane e më gjerë. Artisti që ju fton në këtë mbrëmje speciale është Patricio Nicoloso.




8.Sporte dhe Fitness


Palestra 'Virtus' dhe hapësira SPA 'Solemio', me siguri do jenë dy ndalesat e tua të preferuara nëse ajo që po kërkon në pushimet e tua është çlodhja dhe relaksi total. Për zonjat salloni i bukurisë është froni që i shndërron në mbretëreshat e mbrëmjes dhe normalisht ajo që nuk mungon janë masazhet nën tingujt e një muzikë të qetë dhe shëruese.




9. Nutella alla Costa


E nëse nuk je ai që shqetësohesh për dietën e ditës, bën mirë të kalosh pranë bar Nutella, se nuk ka vend më të ëmbël se kaq. Provo krepat, tortat, akulloret dhe çdo formë tjetër ëmbësirat me shijen unike të nutellës, pa numëruar kafshatat, sepse gjithsesi është e ditur që në fund të kroçierës disa kilogram do i shtosh gjithsesi. Më mirë ta bësh siç duhet!


10. Mikpritja e zotit të shtëpisë


Është diçka që nuk e paraqet dot në katalogët e anijeve, as në statistikat e kompanive, është ai faktori X që secili pushues e zbulon në mënyrën e tij gjatë qëndrimit, teksa kërkon asistencë në recepsion nga Migena e Shqipërisë, teksa blen një bluzë T. Hilfiger në butik nga Dulce e Perusë, teksa nxitet për aktivitetet e ditës nga drejtuesi i kroçierës Alehandro, teksa jep porosinë në restorant tek Ronaldo dhe teksa shijon një mohito të fundit në Bar Ferrari, të përgatitur nga Edgari. Qasja e tyre ndaj pushuesve, qetësia e syve të tyre, durimi që kanë për të dëgjuar, definitivisht është një nga arsyet pse një kompani po e bën mirë punën e saj.


Përpos kënaqësive materiale që marrim, ndjesia e mirë që të përcjellin njerëzit në një lundrim, qoftë punonjës, qoftë pushues, është shpërblimi më i paçmueshëm që merr në aventurën tënde.


  • Rezervo kroçierën tënde këtu!


Delinda,

Shkurt 2020

87 views0 comments
bottom of page