top of page
Search
  • Writer's pictureDeli Muçollari

10 filma të famshëm të xhiruar në anijet e kroçerave

Kinematografia ka qenë për ne shqiptarët dritarja e parë nga e cila kemi njohur botën dhe shpesh na ka bërë të ëndërrojmë për t’i prekur nga afër ato vende që ekrani i ka sjellë me nota komedie, dramatike apo edhe tragjike, e gjithsesi na përcjellin aq emocion e kuriozitet. Edhe për botën dikur të panjohur të kroçerave për mua, ka pasur shumë filma që më kanë ngjallur një interes shumë të madh për këto anije kaq të mëdha lundrimi, për ekspeditat në dete e oqeane e po ashtu kanë ngritur shumë pikëpyetje tek unë se çfarë ndodhte në këto resorte lëvizëse.



Më poshtë kam renditur 10 filma, të cilët janë xhiruar në bord të kroçerave dhe ju shtojnë kuriozitetin për të lundruar:



Po e nis me filmin tim të preferuar të xhiruar ndonjëherë në bord, nga regjisori italian Giussepe Tornatore. Historia e filmit merr fill nga një djalë i vogël, i lindur në vitin 1900 në kroçerën Virginian dhe i rritur nga personeli i bordit. Ai shfaq një talent të rrallë në piano dhe mahnit kapitenin dhe pasagjerët por e meta e tij është se nuk mundet të zbresë kurrë nga anija, për shkak se ajo është e vetmja shtëpi që ai ka njohur. Notat muzikore të Ennio Moriccone i shtojnë emocionet këtij filmi të vitit 1998 me një fitim prej 259 milion dollarësh.




Charlie, një kumarxhi i dështuar planifikon të gjejë një vejushë të pasur në bordin e një kroçere luksoze që lundron në Karaibe, duke përfshirë në plan edhe kunatin e tij të ve, Herbin. Ata imbarkojnë në bord të një anije Holland America, ku për shkak të ngatërresave të qëllimta të Charlie-t, detyrohen të flejnë në një kabinë punonjësish pa pamje nga deti dhe të punojnë si kërcimtarë për të argëtuar pushuesit. Në këtë formë marrin jetë momentet komike me udhëtaret e pasura. Filmi mban regjinë e Martha Coolidge dhe ka dalë në ekran në vitin 1997 me një fitim prej rreth 30 milion dollarësh.



Një haker kompjuterash (Willem Dafoe) depërton në sistemin kompjuterik të kroçerës Seabourn Legend dhe e projekton atë në një kurs përplasjeje me një cisternë gjigande vaji. Sandra Bullock, në rolin e një pasagjereje me emrin Annie Porter, imbarkon në kroçerë për disa ditë pushimi, por ndërkohë që i dashuri i saj planifikon t’i propozojë për martesë, ata detyrohen që më parë të shpëtojnë anijen nga shpërthimi. Filmi është aksion – komedi i vitit 1997, i drejtuar nga regjisori Jan de Bont dhe pati një fitim prej 164.5 milion dollarësh.



Për ata që e shohin Cuba Gooding si një comedian, ky është filmi i duhur dhe më komiku ndoshta që Gooding ka realizuar. Bashkë me shokun e tij Nick, Jerry niset në një pushim në kroçerë, me qëllimin për të njohur vajza, por sapo mbërrijnë në bord, kuptojnë se sapo kanë nisur lundrimin në një Gay Cruise. Duke kapërcyer befasinë dhe homofobinë e tyre, të dy përfundojnë duke gjetur dashuri e ngrohtësi në bord. Disa nga skenat e filmit janë filmuar në një anije të vërtetë në brigjet e Athinës dhe një pjesë tjetër në Këln, Gjermani. Regjisori i filmit është Mort Nathan dhe fitimet ishin 20 milion dollarë.



Kjo komedi e lehtë për një të premte mbrëma do tju çojë virtualisht në bord të anijes më të madhe në botë, Harmony of the Seas nga Royal Caribbean. Në vend të muajit të mjaltit, Rachel (Kristen Bell) përfundon në bord të kroçerës që lundron në Karaibe me babain e saj me të cilin ka vite që nuk komunikon. Lojrat në bord dhe miqtë e ri që takojnë, i vënë përpara dilemës nëse duhet të flasin përsëri apo secili të vazhdojë jetën e tij. Regjia e filmit bëhet nga Lauren Miller dhe fitimet në rang global kanë arritu 37 milion dollarë.




Adam Sandler (Jack) luan të dy personazhet kryesore në këtë komedi absurde, me Katie Holmes si gruaja e tij. Për të festuar Vitin e Ri, Jack dhe familja e tij, së bashku me motrën binjake, Jill, shkojnë në një lundrim me kroçerën Allure of the Seas të kompanisë Royal Caribbean International, në debutimin e esaj të pare kinematografik. Megjithëse konsiderohet gjerësisht një nga filmat më të këqij të krijuar deri më sot, "Jack and Jill" është një mënyrë e shkëlqyer për të shfaqur tiparet më të mira të anijes, duke përfshirë FlowRider, murin e ngjitjes dhe karuselin e Boardwalk në bord. Regjisori I filmit është Dennis Dugan dhe fitimet arritën shifrën e 149 milion dollarëve.




Seria e tretë e Chipmunks, gjithnjë në aksion me Jason Lee, na sjell 3 ketrushat e famshëm në pushime me kroçerën Carnival Dream. Filmi është xhiruar gjatë një jave lundrimi në detin e Karaibeve. Një film argëtues për tu parë me familjen dhe shumë informacione për tu mbajtur mend nëse po planifikoni një lundrim të ngjashëm. Me një fitim gjigand prej 342 milion dollarësh, regjisori Mike Mitchell ka arritur sërish suksesin e rradhës.




Kroçerat mund të vijnë në ekran edhe të animuara, sikurse në numrin e tretë të filmit vizatimor shumë të pëlqyer nga fëmijët, Hotel Transilvania. Në këtë komedi, Dracula dhe familja e tij lënë hotelin prapa për një pushim veror në kroçerën imagjinare, Legacy. Skenat e ndryshme tregojnë shumë prej argëtimeve të kroçerave, nga lojërat në pishina dhe bufenë e dendur në ushqim e madje zbulon edhe disa sporte që mund të bëhen në bord. Kjo është një tjetër komedi familjare, e sigurtë se do t'i bëjë fëmijët të magjepsen pas kroçerave. Fitimi arriti shifrën e 528 milion dollarëve.




Priyanka Chopra është një udhëtare eksperte kroçerash gjithashtu. Me rastin e 30 vjetorit të martesës së tyre, Kamal dhe Neelam dhe fëmijët e tyre të rritur Ayesha (Priyanka) dhe Kabir ftojnë familjen dhe miqtë e tyre në një udhëtim me kroçerë. Në mes të shumë festimeve dhe gëzimeve, shfaqen emocione të shtypura për një kohë të gjatë, pakënaqësi dhe pasiguri që mund t'i copëtojnë plotësisht ose t'i afrojnë më shumë se kurrë më parë. Me një narracion të ikonës së Bollivudit Aamir Khan dhe nën drejtimin e rwegjisores indiane Zoya Akhtar, filmi është publikuar si fillim në Kuvajt dhe ka prekur shifrën e fitimeve 1,9 bilion dollarë.



Ikona e dashurive tragjike të ekranizuara, Titaniku do të mbetet në mendjen e publikut jo vetëm si filmi që njohu botën me Leonardo di Caprion dhe Kate Winslet, por si një nga filmat më të realizuar të të gjitha kohëve. Megjithëse është një film tragjik e provokon shumë lot, ia vlen të shihet nga të gjithë. Shumë regjisorë kanë provuar të shfaqin në ekranin e madh historinë fatkeqe të Titanikut, por askush nuk ka qenë më i suksesshëm se James Cameron. Me një fitim prej 2,1 bilion dollarësh, ky film la lënë në kujtesën tonë fotografike çastin e Jack dhe Rose në ballë të anijes, teksa oqeani duket më madhështor se kurrë.

105 views0 comments
bottom of page