top of page
Search
  • Writer's pictureDeli Muçollari

10 turistët më të tmerrshëm që mund të hasni gjatë pushimeve

Përpiqu t'i shmangësh këta lloj turistësh kur je me pushime, që të të shkojnë gjërat vaj.. dhe ç'është më e rëndësishmja: Mos u bëj një prej tyre!

Ja lista me 10 stereotipet e turistëve që 'sillen keq' në kroçerë:


1. Turisti që ankohet gjithë kohës

Disa njerëz thjesht nuk kënaqen kurrë, por ky nuk mbetet vetëm problemi i tyre sepse do të bëjnë gjithçka që të gjithë ta dinë se ata kanë një problem. Në kroçiera këta lloj turistësh bien shumë në sy sepse të rastis t’i shohësh shpesh teksa rrinë në recepsion duke paraqitur listën e ankesave, teksa i thonë kamarierit që uji nuk është mjaftueshëm i ftohtë, mishi nuk është mjaftueshëm i ngrohtë, dhoma e tyre nuk është komode, jastëku është paksa i fortë, udhëtarët e dhomës tjetër janë të zhurmshëm, nuk gjejnë vendet e para në teatër etj.

Hej, me kaq kërkesa specifike duhet të rezervosh një jaht, të lutem!



2. Turisti i vrazhdë

Do t’i gjesh gjithnjë duke fyer punonjësit e kroçierës për joprofesionalizëm me një tonalitet të lartë. Ose ata që injorojnë kamarierin teksa u kërkon porosinë dhe çatojnë në telefon duke i lënë të presin në përjetësi. Nuk dinë të thonë asnjëherë faleminderit ose të lutem, me idenë që ‘oh kam paguar që të jem këtu’. Ok ok, ke paguar por mirësjellja nuk të kushton asnjë gjë.


3. Turisti që nuk kontrollon dot fëmijët

Gjatë verës, kroçierat janë të mbushura me fëmijë dhe s’ka asnjë të keqe këtu sepse kroçiera është pushim kryesisht për familjet por disa fëmijë janë thjesht hiper hiper aktivë. Janë të zhurmshëm në restorant, në kabinë, në pishina.. dhe nuk të lënë asnjë herë të qetë. Epo, dikush duhet tu mësojë rregullat e sjelljes në publik.


4. Turisti që nuk mban rradhën

Ne si 'specialitë' të rradhës si pjesë e kulturës sonë, e vëmë re këtë akt të tmerrshëm sjelljeje. Në recepsion, në tualet, në hyrje të anijes, në restorant, kudo mund të krijohet rradhë, qoftë edhe me 3-4 persona, ndaj chill. Në fakt, është e drejtë që në një mjedis me shumë njerëz, ku të gjithë kanë nevojë për një shërbim, secili të respektojë rradhën dhe organizimin, në mënyrë që çdo turist të kryejë punën e vet dhe të vazhdojë më pas me axhendën e tij. Tërheqje veshi për ata që nuk respektojnë rradhën!



5. Turisti që është gjithnjë vonë

Vonë për në restorant, vonë për tek shfaqja e teatrit, vonë për konkursin e karaokes.. Parapëlqej të mendoj që jam e përpiktë kur bëhet fjalë për një aktivitet që prek edhe axhendën e të tjerëve, por të gjithëve na ndodh që të kemi vonesa për shumë arsye, sidomos ne vajzave. Por, e rëndësishme është të mos e kthejmë vonesën në zakon!


6. Turisti që mburret si Gold Card Member

Keni rastistur ndonjëherë ndonjë udhëtar që fillon e flet pa fund për vendet që ka vizituar, për dhomën e shtrenjtë që ka rezervuar, për klasin gold të kartës së kroçerës së tij si klient besnik e që shpenzon shumë në x kompani? Mua më ka ndodhur, dhe këshilla më e mirë është, shmangini me diplomaci!


7. Turisti që mban shezllonet për të tjerët

Nëse ke udhëtuar minimalisht njëherë me kroçierë, e di që ata që zgjohen shpejt, zgjedhin shezllonet më komode dhe më afër pishinës dhe deri këtu jemi ok. Ka disa prej tyre që zgjohen 'në emër të komunitetit' dhe mbajnë të zëna 5,6,7 apo më shumë shezllone për kabinën e tyre dhe kabinën ngjitur, duke mos i lejuar të tjerët të akomodohen. Dhe ti më pas vëren rreth orës 11:00 të paradites sesi vijnë të tjerët serbes-serbes tek pishina dhe shtrihen në vijën e parë, ndërkohë ti je zgjuar që në 8:00 për të zënë një vend bereqaves.

Të mërzit apo jo?



8. Turisti pijanec

Të gjithë pijmë kur jemi me pushime, patjetër, por këtu flas për ata që nuk e gjejnë rrugën e kthimit në kabinën e tyre pas dehjes së shfrenuar. I gjen të shtrirë nëpër korridore, derisa një punonjës i ndihmon të gjejnë dhomën. Apo edhe më keq.. eh sa histori kam parë e dëgjuar në bord për ta. Në njëfarë pike bëhen shqetësues për pushuesit e tjerë dhe kjo me të vërtetë nuk duhet të ndodhë. Kujdes me pijen!


9. Turisti që bllokon ashensorin

Në çdo anije ka shkallë dhe ashensorë dhe kuptohet që për të shkuar nga kati 4-t i imbarkimit, në katin 13-të të bufesë ose pishinës, do të duhet të marrësh ashensorin. Por, problemi është me ata që marrin ashensorin nga kati 5 në katin e 6 duke bllokuar ashensorin vetëm për t’i kursyer vetes 2-3 hapa më tepër. Ja dhe problemi me mbipeshën! Përdorni shkallët sa më shumë!


10. Turisti që prek ushqimin me duar

Edhe mua më shijon ta ha picën me duar sepse ashtu e ka lezetin, por kujdesem që të paktën të prek picën time. Shpresoj të ndodhë sa më rrallë, por kam parë pushues që prekin frutat, bukën apo një ushqim tjetën, e shohin dhe e lënë prapë atje ku ishte. Kjo është thjesht yaaaaak. Bëjeni vetëm në shtëpinë tuaj. Jo në publik. Puç.


/Referenca nga Ben & David Cruise Vlog /

86 views0 comments
bottom of page