top of page
Search
  • Writer's pictureDeli Muçollari

25 zakone shqiptare që habisin të huajt

Një shqiptar mund të lërë pas vendin e tij, por asnjëherë zakonet e gdhendura fort në sjelljen e përditshme dhe kjo është krejt në rregull. Ajo që mrekullon në lidhje me kulturat e ndryshme të popujve është sesi disa sjellje të një pupolli, i duken marrëzi një tjetri, dhe jo gjithmonë me një konotacion negativ. Të huajt që vizitojnë Shqipërinë dhe jetojnë për aq kohë mjaftueshëm sa për të vënë re zakonet tona, shprehin shpesh habi mbi disa sjellje tonat, të drejta ose jo, por që tregojnë shumë mbi mentalitetin dhe grindën që na vlon në gjak.



Ato që do të rendis më poshtë, janë marrë prej vërejtjeve nga miq të mi të huaj që jetojnë në Tiranë prej disa vitesh dhe nga miq të tjerë nga shtete të ndryshme të botës që u kanë bërë përshtypje këto veçori të shqiptarëve.

1. Të folurit e shumë gjuhëve

Shumë shpesh gjatë punës në kroçerë, mes kolegësh diskutonim gjithmonë sesi shqiptarët janë në gjendje të flasin shumë gjuhë të huaja, me një lehtësi thuajse të frikshme. Amerikanët mahniteshin pas këtij fakti dhe përpiqeshin të më surprizonin me një Hola latine për të dëshmuar aftësinë e njohjes së një gjuhe të huaj.

2. Shqiptarët janë shumë të lidhur me muzikën tradicionale

Shumë turistë që vizitojnë vendin tone bien në dashuri me ritmet e muzikës sonë popullore dhe madje tentojnë të mësojnë vallet tradicionale. Iu bën shumë përshtypje fakti sesi e kemi ruajtur me shumë lehtësi prezencën e artit folklorik në përditshmërinë tonë. Natyrisht, si mund të harrohen serenatat? E pamundur!

3. Hedhja e parave duke kërcyer në dasma

Në këtë pikë kanë të drejtë të çuditen. Të huajt gjykojnë se hedhja e parave në tokë, të cilësdo monedhë qofshin ato, tregon mungesë respekti për punën e bërë për t’i fituar, por pak prej tyre e njohin ndjesinë e të rënit në sy të fisit, tezeve dhe hallave, minimalisht një herë në vit. Kur të jepet mundësia, pse mos ta shfrytëzojmë?

4. Pellushat e varur në shtëpitë e reja

Ok, ky është një zakon disi i frikshëm. Por nëse eksploron në periferi të qyteteve ose në fshatrat shqiptare, do të shohësh masivisht kukulla, arusha e lodra të ndryshme të dëmtuara nga shiu e era, në majën e tarracave të shtëpive. I ndjeri Fatos Baxhaku i ka kushtuar një botim këtij fenomeni që tregon qartë natyrën supersticioze të shqiptarëve dhe që është shumë e vështirë tia shpjegosh një të huaji.


5. Kafeja pihet në çdo orar

Po si mund t’i caktosh një orar kafesë? Kafeja e gazetës së mëngjesit, kafeja e çlodhjes pas pune, kafeja e pasdites në lagje. Domethënë, kush ia ka parë të keqen kafesë? Kurioziteti i të huajve qëndron në faktin se ku e gjejmë kohën për kaq shumë kafe. Normalisht, s’kemi ndërmend ta nxjerrim këtë sekret.

6. Grindja për të paguar në lokal

Tradita do të mbijetojë në shekuj. Unë të paktën do vazhdoj të kontribuoj për ta mbajtur gjallë këtë normë të sherrit të qerasjes sepse është momenti më argëtues i takimit me një mik a mikeshë. Më mungoi shumë ky çast sublim në kohën që jetova jashtë Shqipërisë dhe vazhdimisht ndahej fatura ekzaktësisht 50 me 50, deri në qindarkën e fundit. Epo edhe ashtu s’bëhet!


7. Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe gjakmarrja

Zbatimi i Kanunit është një plagë e shoqërisë sonë që përbën një pistë kërkimi për shumë reporterë të huaj në kërkim të sjelljeve të pazakonta të popujve të vegjël dhe në zhvillim e sipër. Personalisht mendoj që ende nuk është realizuar dokumentari më i mirë i praktikimit të Kanunit në ditët e sotme në Veriun e vendit tonë dhe ende ka shumë të pathëna.




8. Martesa me mblëseri

Nëse prindërit e tu janë martuar me mblesëri (shkuesi), ngri dorën! Duket absurde në vitin 2020, por ende ndodh në shumë zona rurale, ku të rinjtë prezantohen nga familjet e tyre dhe mund ta vazhdojnë njohjen me njëri-tjetrin vetëm me miratimin e familjarëve. Sipas kohës, edhe kuvendi! Dikur nuk ekzistonin rrjetet sociale për tu njohur me gjysmën tjetër, kështu që njëra nga hallat duhet ta merrte mundimin për ta kryer këtë mision.

9. Të takosh fillimisht njeriun më të madh në moshë

Nëse je në një festë familjare, do të duhet të bësh respektin siç duhet, të takosh sipas rradhës nga më i vjetri tek më i riu të zotët e shtëpisë. Dikur ka qenë shumë e thjeshtë sepse njerëzit uleshin në karrige apo divanë sipas rëndësisë ose moshës së tyre dhe mjaftoje t’i merrje me rradhë nga e majta në të djathë, por sot si i bëhet? T’i takojmë sipas gjatësisë? Pyes..


10. Të luten të rrish kur u shkon për vizitë

Ka gjithnjë 3 tentativa për ta bindur mikun të rrijë më tepër në shtëpi, përpara se të dorëzohesh dhe ta lësh të shkojë. Imagjinoj fytyrën e një gjermani teksa sheh një shqiptar kur përpiqet të largohet në punën e tij, por xhaxhai kurrsesi nuk pranon ta largojë pa ngrënë edhe darkën. Eh ç’dashuri!

11. Mosrespektimi i rradhës

Oops! Jemi të vetëdijshëm për këtë zakon aspak perëndimor! Por dinamika e jetës na shtyn të biem në mëkat e t’i thyejmë herë pas here normat e sjelljes në publik. Radha nuk është vërtet gjëja jonë. Kalojmë te pika tjetër!

12. Sa e ke rrogën?

Natyrisht nuk e kursejmë këtë pyetje as për të huajt që vizitojnë vendin tonë, edhe pse hapin sytë me këtë pyetje. ‘Ku punon? Si e gjete punën? A keni pas punë? A të del rroga? Janë veç pyetjet bazike për të bërë një mik të ri në Shqipëri. Zor se do jetë i huaj sepse me siguri nuk do të të flasë më pas kësaj njohjeje të thellë.

13. Valle dhe aheng për çdo gëzim

Kushërirat e mia në Amerikë më tregonin njëherë habinë e mikeve të tyre amerikane që pyesnin sesi është e mundur që Shqiptarët kanë një festë çdo fundjavë: ditëlindje, dita e emrit, babyshowers, fejesa, lindja e fëmijës, synetllëqe, bachelor party, dasma, përvjetore martese e të tjera plot. Mos të lëntë Zoti pa festa!



14. Dasmat deri ne 6 të mëngjesit

Në një dasmë amerikane ku kam marrë pjesë, darka filloi në orën 6 pasdite dhe përfundoi diku rreth mesnatës. Kështu të gjithë mund të pushonin dhe të ishin gati për ditën e re, sidomos kur është një e hënë. Por jo nuk është mënyra jonë. Shprehja tipike që përdoret në këto raste është ‘1 martohet, 100 tërbohen’ , në kuptimin më dashamirës të fjalës. Dhe sigurohemi që tërbimi të lëjë pasoja të mëtejshme.

15. Format e çuditshme të komplimentave

Që nga ngrënia e syve, zemrës e me rradhë e deri tek ‘Vdeksha për ty’, një i huaj do të pyesë gjithmonë se çfarë sensi ka kjo formë komplimentimi dhe pse është kaq kanibalo-tragjike. Por ne, pikërisht për këto fraza, shpikëm mënyrën dëshirore të foljes, ndaj do vazhdojmë t’i përdorim.

16. Simboli i shqiponjës me duar

Ky symbol i bërë shpesh në foto apo klipe është pasaporta e vjedhjes së zemrës së shqiptarëve. Nëse e bën një i huaj, dihet, është njëri nga ne.


17. Tatuazh i shqiponjës ose varëse me shqiponjë

Simbolet kombëtare janë të shenjta për ne dhe jemi gati t’i gdhendim në trup, ose minimalisht në flori. Kjo tingëllon pak dramatike për të huajt që nuk kanë domosdoshmëritsht atë lidhje identifikuese me origjinën sikurse ne shqiptarët. Unë mendoj që është një gjest dashurie dhe Eliza Dushku më kupton.


18. Mbajtja e rakisë në shishe plastike uji

Sugjeroj që mbi çdo shishe rakie të vendosen disa etiketa të kuqe me shkronja të mëdha ku të paralajmërohet kujdes, jo vetëm për ata që kujtojnë një moment se është ujë, por edhe ata që me vetëdije të plotë e pijnë rakinë si ujë.


19. Të pish raki për mëngjes

Kafenetë e lagjes janë mikpritësit e parë të burrave pijedashës shqiptarë, të cilët ngrohin kordat e zërit që në mëngjes, për tu prononcuar më pas për çështjet me rëndësi politike. Zakoni është i rëndësishëm por të huajt që zgjohen me kafe e briosh zor se mund ta kuptojnë.


20. Kur zë lemza, të kujton dikush

Njëherë që e meson këtë sekret, pak rëndësi ka se nga cili vend i botës së madhe je, por do të kujtohesh gjithnjë se diku, dikush po mendon për ty dhe kjo është shumë romantike.

21. Shumë bukë me gjithçka

Të huajt duhet të kuptojnë që buka është eliksiri i jetës për shqiptarët, sidomos buka e bërë në shtëpi, të cilën nënat tona e qajnë. Çdo ushqim tjetër shoqërohet me bukë sepse kështu na pëlqen.

22. Të folurit me zë të lartë në avion

Etika e sjelljes në publik ka disa krisje që në të ardhmen me siguri do të reduktohen. Ndërkohë, le tia bëjmë me dije gjithë udhëtarëve që ka shqiptarë në avion.

23. Ngritja në këmbë ende pa u ulur avioni

Po, jemi njerëz që nguten dhe na mungon durimi. Dhe po, është dikush që na pret tek salla e mbërritjes së aeroportit, ndaj nuk do ta lëmë të presë. Mendoj që u shpjegova qartë.

24. Nënat i trajtojnë djemtë si femijë deri 30 vjeç

E përsëris, këto sjellje janë vërejtur nga miqtë e mi joshqiptarë por nuk do të thotë që nuk bie dakord me to. Trajtimi i djemve si mbretër të shtëpisë, që kanë nevojë ta kenë çdo gjë gati në kohën dhe vendin e duhur është një nga gabimet më të mëdha e të paqëllimta të nënave shqiptare, që shpesh nuk duan të kuptojnë që djemtë janë të aftë për të gatuar dhe pastruar po aq sa edhe vajzat.

25. Babi e quan femijën babi dhe mami e quan fëmijën mami

Është krejt normale që një nënë shqiptare t’i thotë fëmijës ‘Hajde mami në shtëpi se është dreka gati’. Nuk bën aspak sens ndërsa ia përkthejmë këtë një të huaji, që thjesht dorëzohet për të kuptuar sesi funksionon komunikimi ynë me njëri-tjetrin.


  • *25 albanian habits that surprise the visitors

28,160 views0 comments
bottom of page