top of page
Search
  • Writer's pictureDeli Muçollari

Butrinti, një udhëtim në kohë

Sa ndjesi e çuditshme mund të jetë të udhëtosh në kohë, madje më shumë se 2000 vite më parë dhe të kuptosh se sa e gjallë është historia përtej kohës, nëse ke veç pak durim ta njohësh fytyrën e saj.



I tillë është përjetimi i një vizite 3 orëshe (por që mund të shkojë më gjatë nëse shkon para mesdite) në Parkun Kombëtar të Butrintit, 18 km nga Saranda. E në fakt është një udhëtim në kohë, që të zgjon kureshtjen, të transferon fizikisht në një kapitull mjaftueshëm dinamik të historisë së ilirëve, të gostit me thesaret e veta të gurta e të ngazëllen teksa të mirëpret në odën e saj me gjithë të mirat që i kanë mbetur e që i ruan me stoicizëm për çdo mysafir të rradhës.



Butrinti e ka një tapet të kuq, dhe kushdo që ka hyrë ndonjëherë në portat e tij e kupton sesa shumë i rëndojnë hapat teksa shkel në kalldrëmin që të drejton për në zemrën e thesarit. Kolonat romake majtas e djathtas, ndonjë e ciflosur nga plakja por ende e bardhë qumështi, trungjet e moçëm shpesh të gërvishtur e të dhunuar nga vizitorët që duan të lënë nënshkrimin e vet mbi histori, të mirëpresin gjithsesi në këtë qytet jo të zakontë.



Ndërtimi i Butrintit nga romakët i përket shekullit të tretë para Krishtit dhe gjurmë të kësaj historie shekullore janë ruajtur për fat edhe për ne milenialët e me shpresë edhe për bijtë tanë. Por ku ka gjurmë romake, do ketë domosdo edhe greke, dëshmi edhe njëherë e ndikimeve të të dyja antikiteteve që pati Epiri në atë kohë, para dhe pas Pirros, para dhe pas Krishtit. E përveç shenjave të një banimi të krishterë, tregues i kulturës greke është edhe xhevahiri i këtij parku, pikërisht amfiteatri, ku ndërsa sot këndon Carla Bruni me melodi nimfash, dikur jehonin veç zëra burrash nga veprat e Sofokliut a Euripidit, a ndonjë më i zjarrtë që iu harrua emri. Aty pranë ngrihet akropoli i këtij parku, syri i tij, prej ku dikur kundroje qartas qytetin, e sot mund ta shohësh edhe planin e plotë urbanistik të kohës në ilustrimet e muzeut informativ që do të gjeni.



Parku është ndërtuar në formën e një shëtitjeje historike me 10 pragje, ku secila dëshmon një nga thesaret e Butrinit, derisa të çon në burimin e jetës, në atë liqen që duket magjik në pranverë teksa rrëshqasin mbi të degët e pemëve rrotull. Ndoshta asnjë nimfë, veç bretkosave, s’do dëgjoni aty, por si një Venerë, Afërditë a Dionis do të ndiheni me siguri ulur në stolat e gurtë nëpër shtigjet nga një stacion në tjetrin, kur moderniteti e humb sensin, ti bëhesh pjesë e historisë, një banore e Butrintit 2000 vjeçar, të rrethojnë luanë të gurtë dhe mozaikë prej zemrash dhe e quan veten me kaq shumë fat që je aty.


Ndonjëherë, nuk ka nevojë të jesh historian për të ditur ca sekrete të historisë dhe s’ka nevojë të jesh Magelan për të gjetur historinë.

Është fare afër, në Butrint.

142 views0 comments
bottom of page