top of page
Search
  • Writer's pictureDeli Muçollari

PËRSE MSC GRANDIOSA ËSHTË ANIJA E VITIT!



MSC Grandiosa është anija më krenare që njoh.


Gjatë nëntorit të kaluar, teksa një spektakël gjigand po përgatitej nga stafi i MSC Cruises për të mirëpritur në ujrat e Mesdheut këtë anije të re, u lajmëruam se koha do të ishte e ftohtë e me shi dhe ceremonia e pagëzimit nuk do të mund të realizohej në ambientet e terminalit të Hamburgut, sikurse ishte parashikuar.


Nuk mund ta fsheh që më trishtoi ky lajm, sado qesharake të tingëlloj. Jo më kot, por sepse 1 vit më parë, kur mora pjesë për herë të parë në ceremoninë e inaugurimit të MSC Seaview në portin e Genovës, Itali, ishte një nga eventet më të rëndësishme dhe mbresëlënëse që kisha marrë pjesë. I madhi Zuchero e ndezi portin me një koncert të zjarrtë dhe qielli i kthjellët i Genovës u ngjyros me qindra fishekzjarre.


Prisja të ndodhte e njëta gjë.


Por ashtu sikurse na lajmëruan, megjithë atë shpresën e vockël për ndonjë ndryshim të papritur moti, eventi filloi në bord të Grandiosës dhe Michelle Hunziker ishte e pranishme për ta moderuar të gjithë ceremoninë, për të prezantuar kapitetin e gjithashtu për të ftuar në prerjen e shiritit të inaugurimit, kumbarës e anijes, ikonën e bukurisë, Sofia Loren.


Shishja ‘e mbarësisë’ u thye mbi kiçin e anijes dhe shampanja u hap. Sërish fishekzjarret përshëndetën Hamburgun dhe të gjithë e mësuan se Grandiosa ishte gati për të hapur dyert. Një anije që do të ishte oazi i lumturisë për turistë nga e gjithë bota. As shiu, e as temperaturat e ulëta të asaj ane të Gjermanisë nuk mund ta tkurrnin entuziazmin e spektaklit të dritave blu atë natë nëntori.



Kjo ishtë veç një sfidë e vockël, përpara misionit që e priste Grandiosën disa muaj më vonë.


Në janar, Covid-19 ishte vetëm një lajm i edicionit të mbrëmjes.

Në shkurt, industria e turizmit pësoi një grusht anullimesh nga klientë të shqetësuar nga e gjithë bota.

Në mars, çdo lundrim u pezullua.


Një anije u bllokua për shkak të disa pushuesve që rezultuan pozitivë me Covid. Shumë punonjës mbetën të bllokuar në anije për muaj me rradhë pa mundur të kthehen në shtëpitë e tyre për shkak të anullimit të fluturimeve. Çdo event u anullua. Çdo udhëtim u shty. Turizmi hyri në një kolaps të thellë dhe shumë njerëz humbën vendin e punës. Agjencitë e udhëtimit dukeshin një luks i panevojshëm. Shumë njerëz u dërguan në shtëpi pa asnjë shpresë për të ardhura të tjera për familjet e tyre. Kufijtë u mbyllën dhe shumë kompani gjigande humbën një djall e gjysmë në bursë. Kompanitë e kroçerave u tërhoqën në heshtje dhe shumë prej tyre ende presin për zgjidhjen e artë.


Por, ishte një anije që e sfidoi këtë kolaps.

Ishte një kompani që ndryshoi rregullat e lojës.

Besoi në profesionalitetin ku ishte mbështetur prej vitesh.

Besoi në sigurinë me të cilën kishte garantuar qetësinë e pushuesve prej dekadash.

Besoi në pasionin e pashoq që i lidh njerëzit e dashuruar me detin.


Ishte MSC Cruises dhe MSC Grandiosa.


Anija, që ndërsa asnjë tjetër nuk guxonte të fliste për rikthim në det, nisi lundrimin e parë në Mesdhe me rreth 1000 pasagjerë në bord e pothuaj po aq punonjës. Anija, me të cilën MSC Cruises ngriti sërish flamurin e navigimit përpara të gjithë botës. Anija, që i dha zemër edhe kompanive të tjera të kroçerave me më shumë vjetërsi në treg.


Ishte pikërisht MSC Cruises që hartoi një protokoll të ri e shumë strikt për udhëtimet post pandemike, për t’i rikthyer sërish të gjithë në bord. Testi Covid i ofruar nga kompania, matje e temperaturës në check-in, eskursione me shoqërues, distancim social, higjenizues duarsh dhe ambjentesh ngado, mbajtje rigoroze e maskave, evitim i rradhëve të gjata dhe siguracion në rast anullimi.



MSC gjeti formulën për t’i rikthyer shpresën turizmit në mbarë botën dhe ishte ajo drita e vogël në fund të tunelit, që rezultoi në një dritare të madhe shpëtimi për shumë të tjerë.




Delinda Muçollari

2020

101 views0 comments
bottom of page