top of page
Search
  • Writer's pictureDeli Muçollari

Si është jeta në kroçerë për punonjësit/ Ups & downs /Pjesa 1

Ja vlen të punosh në kroçerë apo jo?


Kjo është pyetja që me vjen gjithnjë në mesazhe nga të njohur dhe të panjohur dhe që në fakt ka 1 milion opsione si përgjigje. Më poshtë do të rendis disa nga pikat kyçe të jetës në një anije kroçerash dhe mund ta vlerësoni vetë në fund nëse ia vlen apo jo të nisni edhe ju një karrierë në bord.


Deli Muçollari - MSC Divina

Puna

Ka me dhjetëra departamente në të cilat mund të punësohesh në një kroçerë, ashtu si në një resort turistik në tokë, duke filluar që nga pastrimi deri tek specialistët IT, organizuesit e eventeve etj. Pozicioni i punës mund të jetë në një nga këto tre kategori: Officer , Staf, Crew, me të drejta, detyra dhe privilegje të ndryshme në bord. Departamentet ku vajzat dhe djemtë shqiptarë e kanë më të thjeshtë të punësohen janë: Bar & Restorant, Shop Team, Shore Excursion, Animation Team, Mini Club dhe Reception Desk. Oraret e punës variojnë nga 6 deri në 12 orë në ditë, çdo ditë të javës, me turne të ndryshme dhe pauza të ndryshme.


My cabin, MSC Splendida

Kabinat

Zakonisht çdo punonjës detyrohet të ndajë kabinën e tij me një koleg/kolege të së njëjtës gjini, përveç oficerëve kryesore dhe patjetër kapitenit që kanë në dispozicion dhoma e suita pasagjerësh në katet e sipërme të anijes. Gjithë pjesa tjetër e punonjësve, staf apo crew, akomodohen në dhoma dyshe në katin e dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë të anijes (të paktën sipas strukturës së anijeve MSC) në një hapësirë rreth 9 deri 12 metër katrorë. Shtretërit mund të jenë normalë ose marinarë, ku je me fat nëse kap i pari shtratin e poshtëm. Kabinat zakonisht nuk kanë dritare, përveç disa rasteve të pakta të dhomave për menaxherët e departamenteve.


MSC Musica

Ushqimi

Tre kategoritë e pozicionit të punës përcaktojnë edhe vendin ku je i lejuar të konsumosh vaktet e tua, kështu në anije ka 3 mensa: Officer Mess, Staf Mess dhe Crew Mess. Menuja supozohet të jetë e ndryshme çdo ditë, por në krye të disa muajve gjithçka të rezulton po e njëjta gjë. Në fakt ushqimi në bord ishte një nga vështirësitë më të mëdha për mua, që siç duket rezultoi për mirë dhe nuk shtova asnjë kilogram të panevojshëm. Por, e vërteta është se sado i mirë të jetë ushqimi që përgatisin kuzhinierët e mensës, vjen shpejt ai moment kur asgjë nuk ta hap më oreksin për shkak se e ke konsumuar aq shumë herë. Një gjë që nuk mungon kurrë në menu është filetoja e pulës, ndaj sido që të shkojë puna, vakti është i garantuar.

Përveç punonjësve crew, pjesa tjetër, staf dhe officer, është e privilegjuar të konsumojë drekën ose darkën me orare të reduktuara në bufenë e pasagjerëve, ku gjithçka shijon më ndryshe. Me plot gojë mund ta them që bufeja ishte oazi i lumturisë sime.


Pax Drill - MSC Musica

Crew/Pax Drill

Duhet të dini që përveç detyrës për të cilën punësohesh në një kroçerë, si kamarier, recepsionist etj., ke një detyrë akoma më primare si një 'oficer sigurie' që të detyron të marrësh pjesë në demonstrimet e proçedurave në raste emergjente, të ashtuquajtura 'drills'. Ato mund të jenë vetëm për punonjësit ose edhe për pasagjerët dhe zakonisht kryhen në kohën tënde të lirë. Detajet e drill-it i kam përmendur në këtë postim: https://demucollari.wixsite.com/blog/post/charlie-alpha-charlie-alpha


Një detyrë tjetër mund të jetë 'alcohol policy', në dukje shumë bezdisëse, por në fakt që më ka rezultuar shumë argëtuese hera herës dhe që konsiston në qëndrimin për 2 ose më shumë orë pranë portës hyrëse të anijes (gangway) për të mbledhur shishet e alkolit që sjellin pasagjerët nga jashtë portit. Produkte që iu kthehen atyre një ditë përpara përfundimit të kroçerës.


Darka e fundit sipas MSC Musica

Interneti

Interneti, i bekuari internet. Duhet ta dini, nuk është falas as për punonjësit. Me informacionin që kam, MSC-ja ofron cilësinë e internetit më të mirë në bord dhe paketa të ndryshme sipas interesave. Unë personalisht kam përdorur gjithnjë paketën Social, rreth 30 euro në muaj, që më lejonte të përdorja të gjitha rrjetet sociale Facebook,Instagram, Whatsapp.. pa limit. Ndryshe ka qenë eksperienca ime e internetit në Carnival Cruises, ku jo vetëm që kushtonte shumë shtrenjtë paketa ditore, gati 10 euro, por ishte një cilësi depresive dhe ishte e pamundur të kryeje një telefonatë normale. Sa mirë që ikën ato ditë. Sa bukur më tingëllon 3G-ja tani .


Vazhdon tek artikulli tjetër..




222 views0 comments
bottom of page