top of page
Search
  • Writer's pictureDeli Muçollari

Ushqimet tradicionale që duhet të provoni në kroçerën e Mesdheut

Udhëtimet me kroçerë nuk janë vetëm për të përjetuar madhështinë e të lundruarit në mes të detit a oqeanit por edhe një endje e vazhdueshme për të njohur kultura të reja katërcipërisht, madje edhe për t’i shijuar ato. Në çdo ndalesë të itinerarit tuaj, sigurohuni që të shijoni gatimet tradicionale, të bëra me përbërës vendas, sido që të jenë, të kripura a të ëmbla. Dhe ashtu me stomakun e kënaqur, shëtisni dhe eksploroni destinacionet tuaja të preferuara dhe ju premtoj se do t'ju duken akoma më të këndshme.



Në një itinerar në Mesdhe, destinacionet kryesore që do të vizitoni janë ishujt grekë, bregdeti kroat, ishujt balearë spanjollë, qytetet më në zë italiane, do të prekni Francën dhe Portugalinë. Po ndaj sugjerimet e mia se cilat ushqime duhet të provoni patjetër kur vizitoni këto vende.




Greqi:

Qofshi në Santorini, Mikonos, Kretë, Patmos, Rodos a Korfuz, ka një të emërues të përbashkët gastronomik që është ‘la creme de la creme’ e tryezës greke i mirënjohur si ‘xaxiq’. Një pita giro me recetën tradicionale greke është një ‘must’, sikurse duhet të provoni ullinjtë aq të shijshëm dhe mishin në zgarë. Për një vakt më të plotë, provoni musakanë dhe peshk nga ujrat e Egjeut.




Kroaci:

Në restorantet e bregdetit kroat, në Zadar apo Split, ku do të ankorohet kroçera juaj, ndër pjatat që duhet të provoni është ‘Black rissoto’, e njohur në vend si crni rižot, bërë me sepje ose kallamar, vaj ulliri, hudhër, verë të kuqe dhe vaj kallamari, i cili jep një aromë intensive të prodhimeve të detit dhe ngjyrë të zezë. Mund të provoni gjithashtu rakinë për të testuar pak zotësinë e fqinjëve kroatë.




Spanjë:

Destinacionet spanjolle që mund të vizitoni me kroçerë janë Barcelona, Valencia, Ibica, Palma de Majorka ose Tarragona. Kudo që të jeni, kërkoni për tipiken “paella valenciana” me mish lepuri, pule ose me fruta deti. Gazpaço është gjithashtu një supë e shijshme me bazë domate, vaj e hudhër. Spanja ka kaq shumë pjata unike sa nuk ezaurohen kurrë, por këto të dyja janë një fillim i mirë në vizitën tuaj në këto qytete.




Itali:

E kush e njeh dhe e do më shumë kuzhinën italiane se ne shqiptarët? Është tashmë pjesë e tryezave tona, por shpesh ndodh të abuzohet me recetat dhe të mos e marrim shijen e plotë të një pjatë. Në Capri, Sardenjë, Napoli, Firenze a Romë, sigurohuni që të provoni lazanjën me ragu, picat napoletane, pastën Carbonara, dhe absolutisht llojet e ndryshme të fokaçave që do t’i gjeni lehtësisht në furra buke dhe fast food-e në rrugë.




Francë:

Një francez nuk do më lejonte të përmendja 1 ose dy pjata tipike, por në një vakt nuk mund të provosh gjithçka. Përveç verërave të mira dhe larmisë së djathrave, në vizitën tuaj në Marsejë, a në ishullin e Korsikës, duhet të provoni “Coq au vin” , pjatën me bazë pule, e shoqëruar me mish derri, kërpudha, qepë dhe natyrisht verë. Në disa restorante gatuhet edhe me shampanjë. Për tu ëmbëlsuar në maksimum, provoni suflenë e çokollatës, kaq të shijshme dhe elegante.




Portugali:

Megjithëse fqinjët e saj e kanë lënë gjithnjë në hije lidhur me shkëlqimin e gastronomisë vendase, edhe Portugalia ka pjatat e saj unike që duhen shijuar në ndalesën tuaj në Madeira, Porto apo Lisbonë. Filloni me Caldo verde, supën e famshme portugeze, për tu shijuar e ngrohtë sidomos në ditë dimri. Më pas me Bacalhau, i cili është një fiksim kombëtar, mënyra më e mirë për të shijuar peshkun. Një pjatë tjetër tipike është Polvo a Lagareiro, oktapod me perime me shumë vaj ulliri. Një shije e vërtetë mesdhetare.

126 views0 comments
bottom of page