top of page
Search
  • Writer's pictureDeli Muçollari

Charlie Alpha Charlie Alpha

Updated: Sep 30, 2019

Nëse këto 2 fjalë të kujtojnë zgjimet e papritura - Mirësevjen në klub!


Si një ish punonjëse në anijet e kroçerave MSC Cruises dhe Carnival Cruises, janë të pashlyeshme kujtimet e bukura që kam nga kjo eksperiencë, por nuk mund ta shmang humorin që më sjellin situatat e parehatshme që krijoheshin në bord për shkak të rregullave të shumta të sigurisë.




Një prej tyre është thirrja 'Charlie Alpha Charlie Alpha' që i komunikon të gjithë ekuipazhit që duhet të përgatiten për stërvitjen e rradhës. Kuptimi i kodit është 'Crew Alert' dhe të detyron që të pozicionohesh në vendin e përcaktuar për të marrë pjesë në stërvitje, vend i cili shenjohet me numër dhe të jepet që në ditën e parë në bord në një letër të kuqe - letrën e emergjencës!


Pozicioni mund të jetë Stairway Guide, që do të thotë se duhet të drejtosh pasagjerët drejt Assembly Station, stacionin e mbledhjes ku kryhet demonstrimi i vendosjes së jelekëve të shpëtimit dhe udhëzime të tjera për pasagjerët.



Një pozicion tjetër mund të jetë Accounting Team, personat që kanë përsipër të numërojnë pasagjerët që mbërrijnë në Assembly Station dhe t'i regjistrojnë ata. Janë disa skuadra shpëtimi të mirëorganizuara në bord, që veprojnë në sajë të dirigjimit nga drejtuesi i kroçierës- cruise director- dhe patjetër nga kapiteni i anijes. Disa skuadra të tjera janë Firemen Team, Security Team.. por edhe Blanket Team, personat përgjegjës për të pajisur pasagjerët me batanije dhe mjete të tjera shpëtimi në raste emergjence.



Dikush që udhëton si pasagjer, do të haset me këto 2 fjalë që ditën e parë në bord, pa u nisur ende anija në lundrim, sepse i gjithë stafi përgatitet për të ofruar një demonstrim të procesit të shpëtimit, që çdo pasagjer të dijë se çfarë duhet të bëjë. Diçka e ngjashme si me demonstrimin që bëjnë stjuardesat para nisjes së fluturimit me aeroplan, veçse zgjat pakëz më tepër.



Ky veprim kryhet në përputhje me rregulloren ndërkombëtare detare duke ndjekur me përpikmëri protokollin e sigurisë.


Pra nëse do të dëgjoni nga drejtuesi i kroçerës teksa anonçon Charlie Alpha, dhe më pas disa tinguj që duken shqetësues, në fakt mbani mend se është momenti që dalëngadalë të shkoni në kabinat tuaja, të merrni jelekët e shpëtimit në dollapin e kabinës dhe të bëheni pjesë e demonstrimit. Vini re se keni një shkronjë të stampuar mbi jelekun tuaj : D -delta ,H-hotel, G-golf, I- india.. që nënkupton se te cili stacion duhet të drejtoheni ju.



Nëse nuk merrni pjesë ditën e parë, ju do të thirreni sërish në një demonstrim tjetër derisa të mësoni se di duhet të silleni në rast emergjence, dhe kjo vlen jo vetëm për sigurinë tuaj por edhe për të tjerët që lundrojnë në atë anije.

Tek e fundit, gjithçka do të jetë argëtuese. Do të dëgjoni anonçimin në disa gjuhë, do kuptoni se si është niveli juaj i frëngjishtes dhe do ndihmoni një kroçerist tjetër të ndjekë udhëzimet.


Nëse jeni me fat, do takoni personalisht kapitenin e anijes dhe do t'i rrëmbeni një foto.


80 views0 comments
bottom of page