top of page
Search
  • Writer's pictureDeli Muçollari

Ç'do të thotë të punosh në butikët e MSC Cruises dhe 'sa është rroga?'

Eksperienca ime e punës me MSC Cruises për gati 3 vite, ishte pikërisht e lidhur me departamentin e shitjes në butikët MSC (Mediterranean Shipping Company). Dhe në të vërtetë kjo kompani ka qenë zgjidhja më e mirë për të punuar në këtë departament sepse ajo zotëron dyqanet e veta, fitimet e saj janë më të mëdha dhe rrjedhimisht edhe fitimet e punonjësve janë më të larta në krahasim me kompanitë e tjera si Costa Cruises ose Carnival Cruises.


Deli Muçollari - MSC Preziosa

Anijet e klasit Musica dhe Fantasia në të cilat punova, kishin përreth 20 deri 25 shitës, të drejtuar nga Shop Manager dhe Assistant Shop Manager dhe ofrojnë për pushuesit këto kategori dyqanesh:

  • Logo Shop - dyqani me suveniret e vendeve që vizitohen dhe produktet origjinale MSC

  • Duty Free - atje ku mund të gjesh alkool, paketa cigaresh, produkte të higjenës etj

  • Candy Shop - dyqani i ëmbëlsirave dhe snack-ëve

  • Boutique - veshje dhe këpucë për femra dhe meshkuj

  • Bag Shop - dyqani i çantave

  • Parfumery - parajsa e parfumeve nga të gjitha markat dhe produkte kozmetike

  • Swarovski Shop - argjendaria e kristalëve, koleksionet e fundit

  • Fashion Watches - orat e markave të ndryshme japoneze dhe zviceriane, po ashtu syzedielli

  • Jewelry Shop - bizhuteritë e cilësisë më të lartë, ku gjeni edhe diamantë


MSC DIVINA -Shop Team

Rrugëtimi im në dyqanet MSC filloi nga Bag Shop, më pas në Swarovski Shop dhe së fundmi në Fashion Watches Shop, duke njohur kështu pak nga të gjitha produktet që ofron linja MSC.


Avantazhi si punonjëse në dyqan ishte se gjithnjë mund të përfitoje ulje shumë të mirë për produktet që doje të blije, por ajo që ishte më e bukura, ishte se gati çdo muaj kishe mundësi të fitoje një produkt plotësisht dhuratë, nëse arrije një target të caktuar shitjesh!

Aha ! Kjo shpjegon edhe koleksionin tim të orave dhe bizhuterive!

E megjithatë unë vazhdoj t'i qëndroj besnike asaj orës së parë Festina, që është bërë tashmë pjesë e kyçit tim të majtë. Probleme të personave emotivë..



Por sa mund të fitosh në të vërtetë duke punuar në dyqane?


Ky departament funksionon me anë të komisioneve dhe bonuseve.

Rroga bazë e një të ashtuquajturi Shop Assistant ose tashmë Shop Associate është rreth 800 deri 900 dollarë. Dhe askush nuk do ta merrte mundimin të bënte një punë të përditshme për këtë shumë.



Në fakt, ajo që i tërheq aplikuesit drejt këtij departamenti janë komisionet e larta. Në varësi të shitjeve dhe sidomos të zonës ku lundron anija, dhe klasit të anijes, që përcakton edhe llojin e pushuesve, komisioni javor mund të shkojë nga 50 deri 500 euro. Shto këtu edhe bonusin 3 mujor ku mund të futësh në xhep edhe 300-400 euro të tjera nëse kap targetin minimalisht.


MSC MUSICA -Shop Team

Pra në varësi të aftësisë së gjithë skuadrës, ti mund të kesh në llogarinë tënde bankare në fund të muajit 2500 - 3000 euro, ashtu sikurse mund të përfundosh me 1400 euro..


Receta fituese është: shit shtrenjtë!



Avantazhet dhe disavantazhet


Avantazhi më i madh që ka, dhe arsyeja përse e kam shijuar këtë eksperiencë është se në kohën e ankorimit të anijes në port, stafi i dyqaneve është 'off' pra je i lirë dhe mund të shëtisësh portet ashtu sikurse turistët. Ndonjëherë orari i kohës së lirë mund të jetë 09:00 - 18:00 në rastin më të mirë, ashtu sikurse mund të kesh vetëm 3-4 orë të lira kur anija duhet të largohet herët nga porti.



Si një punonjës në kategorinë 'Staf' mund të shijosh vaktet në bufenë e pasagjerëve, që është gjithnjë 'e bekuar', ashtu edhe në restorantet e specialiteteve të anijes,si psh Sushi Bar, vetëm se duhet jo vetëm të rezervosh, por edhe të paguash,sikurse një pushues.

Je i lirë të frekuentosh ambientet e anijes në çdo kohë, me uniformën e veshur, madje të festosh në diskotekë deri në 02:00 të mëngjesit!



Nga ana tjetër, disavantazhet lidhen me presionin e vazhdueshëm që ke për të arritur targetin e nevojshëm, për të plotësuar standardet e organizimit, pastërtisë dhe marketingut cilësor të butikut ku punon, me rregulla shumë strikte.

Duhet të kesh një kujdes të jashtëzakonshëm në raportin me pasagjerët, që tek shërbimi në dyqan deri tek ndalimi rreptësor për të mos u shoqëruar me ta jashtë orarit të punës.


Përpos disiplinës,e cila të ndryshon konceptet e fjalës 'organizim', të punosh në butikët e MSC të jep mundësinë të njihesh me qytetarë nga e gjithë bota dhe të mësosh aq shumë për kulturën e tyre ditë pas dite.


E nëse je paksa i mprehtë, e mbyll këtë aventurë me disa gjuhë të huaja në xhep ! :)


348 views0 comments
bottom of page